Gjendja e rëndë në KF “Rahoveci” e ka shtyrë Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, që të vihen në lëvizje për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme për vazhdimin e papenguar të garave gjatë sezonit pranveror.

Në përpjekje për tejkalimin e gjendjes së rëndë në klubin e futbollit “Rahoveci”, drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e kësaj komune në koordinim me Zyrën e Kryetarit të Komunës së Rahovecit, kanë ftuar në një takim pune ish futbollistët e KF Rahoveci, dashamirësit e klubit dhe punëtorët sportiv për të diskutuar situatën aktuale në klub.

Pritet që gjatë këtij takimi të merren vendime të rëndësishme që do të përcaktojnë të ardhmen e futbollit në Rahovec, me ç’rast pritet të zgjidhen edhe organet drejtuese të klubit.

Takimi mbahet më 10 janar 2018 në orën 18:00 në lokalet e DKRS-së në Rahovec.

KF Rahoveci rrezikon shuarjen dhe ndërprerjen e garave në Ligën e Parë, ku mezi shpëtoi edicionin e kaluar.