Kapiteni historik i KB Rahovecit, Besnik Sharku, i cili luajti që nga riaktivizimi i klubit deri një sezon më herët, është shprehur me besim para finales së madhe që zhvillohet të dielën ndaj Prishtinës.

Rahoveci asnjëherë nuk e ka mposhtur Prishtinën dhe mundësia ideale do të jetë në arenën “Mizahir Isma” që sipas
Sharkut ka rol kyç publiku në sfida të tilla.

Ai në një intervistë për Rahoveci24 ka analizuar taktikisht lojën e Prishtinës duke pasur shumë paraqitje ndaj klubit më të trofeshëm kosovar.

Jeton në Norvegji dhe në pamundësi për të shikuar ndeshjen nga afër, na përshkruaj pak ndjenjën nga largësia – a ndjen dhimbje që nuk ishe prezent në hapje të palestrës kur dihet se ke luajtur për aq shumë vite për klubin në kohë shumë më të vështira?

Sharku: Të shoh ndeshjen nga larg është dhimbje po në të njëjtën kohë më jep edhe krenari në ditën e përurimit të palestrës kam ndjerë vetëm krenari dhe në mendje kamk pasur të gjitha lojërat që i kam zhvilluar për klubin e zemrës e jam ndje pafundsisht krenar për gjithça që kam dhënë për fanelën e qytetit dhe për tifozët.

A e ke përcjellë ndeshjen ndaj Pontes, si tu duk atmosfera?

Sharku: Ndeshjen ndaj Ponte Prizrenit e kam parë dhe ishte atmosferë perfekte dhe mendoj që motorri kryesor i fitores ishin Ultras Vreshtarët që s’u ndalen për as edhe një moment të vetëm. Publiku e ka fituar këtë ndeshje dhe me këtë publik me tifozët mund ta mposhtim kë do.

Ke luajtur shumë herë ndaj Prishtinës. Pas kësaj fitore të madhe, si mendon se duhet të reagojë skuadra?

Sharku: Kam luajtur kundër Prishtinës shumë herë, është e vërtetë, po edhe paraqitjet më të mira të mia kan qenë ndaj Prishtinës. Sa i përket skuadrës sonë duhet vetëm të luaj lojë ekipore vetëm ashtu mund ta fitojmë Kupën.

Cila është pika më e fortë dhe më e dobët e Prishtinës?

Sharku: Pika më e fortë e Prishtinës është qendra Boukichou dhe Dardan Berisha në sulm, ndërsa në mborjtje kapiteni i Prishtinës Edo dhe Tmusic janë perfekt. Prishtina ka përvojën e madhe të finaleve dhe dobësitë është vështirë që të gjenden për finale. Por, nëse luan Dardan Berisha dhe ai ndalet, e mbyllet mirë trapezi dhe të lëvizë e gjithë ekipa në mbrojtje, unë besoj dhe shpresoj se Kupa mbetet në Rahovec.

A kemi gjasa për të fituar Kupën e Kosovës?

Sharku: A kemi gjasa?? Për shumë njerëz gjasat nuk i kemi pasur as për në Superligë, por ja që po i tregojmë që Rahoveci mundet gjithçka me ndihmën e tifozëve. Nuk kemi asnjë fitore në histori ndaj Prishtinës dhe tash është momenti ideal që në këtë finale, në palestrën e re me të kompletojmë këtë Final 8 të mrekullueshëm dhe Kupa të mbetet në Rahovec. Kemi ëndërruar shumë, tash është koha që të besojmë.

Raportohet se disa tifozë janë arrestuar nga Ultras Vreshtarët, cila është porosia për ta para kësaj ndeshje?

Sharku: E di që janë arrestuar dhe jam interesuar personalisht për arrestimin e tyre. Ata djem janë krenari e qytetit duhet të lirohen sa më shpejtë, pa ta as finalja nuk do të jetë e bukur. Vreshtarët po bëjnë atmosferë të shkëlqyer gjë që i ka munguar basketbollit që 5 vite. Rahoveci po e ringjall basketbollin në Kosovë e ka kohë që s’kemi parë kështu palestrat e stërmbushura.