Superylli i KB Rahovecit, James Stanback, është shprehur tejet i lumtur pasë kualifikimit historik të klubit vreshtar në finalen e Kupës së Kosovës, sukses për të cilin ai ishte fundamental.

Rahoveci e stërmbushi për një rekord të ri të prezencës arenën “Mizahir Isma” në përpjekj për t’u kualifikuar në finale ndaj Ponte Prizenit.

Vreshtarët ishin në deficit prej 22 pikësh në fillim të takimit, por një shtytje e madhe nga tifozët dhe qytetarët prezent në sallë, bënë që ekipi të këndellej dhe të përmyste gjithçka për një fitore të madhe.

James Stanback ishte i pandalshëm duke shënuar 24 pikë nga 8 treshe prej 13 tentimeve dhe protagonisti për Telegrafin thotë se fitoren ja ka dedikuar tifozëve dhe ekipit.

“Ndihem mirë pas një fitore të madhe ekipore dhe jam gati që të përgatitem për ndeshjen e radhës”.

“Po, ne është dashur që t’i besojmë njëri-tjetrit që të luajmë bashkë dhe të mobilizohemi në mbrojtje”.

“Çka më ndihmoi për performancën? Do të thosha se bashkëlojtarët e mi dhe tifozët, bashkëlojtarët më besuan që të gjuaj dhe tifozët ishin tejet energjik”, u shpreh Stanback.

I pyetur nëse Rahoveci ka gjasa që të mposhtë Prishtinën dhe ta fitojë Kupën e Kosovës duke parë se klubi nga kryeqyteti nuk ka humbje këtë edicion, Stanback ka shpresë te atmosfera që do të krijohet në palestrën e re “Mizahir Isma” dhe në lojën e përbashkët të lojtarëve.

“Unë besoj se nëse luajmë së bashku si kemi luajtur mbrëmjen e kaluar gjithçka mund të ndodhë, por ata nuk duhet që të na nënvlerësojnë. Në këtë palestër me këta tifozë, asgjë nuk është e pamundur”, deklaroi James Stanback.

Rahoveci dhe Z Mobile Prishtina përballen në finale të dielën nga ora 17:00 në arenën “Mizahir Isma” në Rahovec. /Telegrafi/