KB Rahoveci ka fituar të drejtën e organizimit të garës së Kupës së Kosovës.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka caktuar Rahovecin si nikoqir të Kupës së Kosovës dhe KB Rahovecin si organizator të garës, edhe pse palestra ende nuk është finalizuar, as 90 ditë pas nëshkrimit të kontratës me punëkryesin, Euroing.

Komunikata e federatës së basketbollit:

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) të premten ka marr vendim që Final 8 i Kupës së Kosovës për vitin 2019 të organizohet në Rahovecë nga klubi i basketbollit Rahoveci.

Në konkursin e hapur nga FBK prej 28 dhjetor 2018 deri më 9 janar 2019 për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, ka konkurruar KB Rahoveci, duke i plotësuar të gjitha kushtet në bazë të konkursit dhe Udhëzuesit për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 27 shkurt deri më 3 mars.

Më 27 dhe 28 shkurt do të luhen ndeshjet çerekfinale, si dhe gjysmëfinalja në konurrencën e femrave, kurse më 1 mars ato gjysmëfinale te meshkujt, derisa finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen më 3 mars.

Duhet theksuar se me këtë rast KB Rahoveci do të bëjë përurimin e palestrës së re “Mizair Isma”, në të cilën kanë filluar punimet para dhjetë viteve.

Në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës, do të organizohet edhe Kuvendi i Punës së FBK-së, si dhe FIBA SCOD Kampi për Referë, dhe Klinika për Gjyqtarët Potencial në FIBA. Të gjitha këto aktivitete organizohen nga FBK në bashkëpunim dhe KB Rahoveci, dhe me mbikëqyrje të FIBA-s.

Detajet e tjera rreth organizimit të Final 8 të Kupës së Kosovës do të bëhen të ditura javën e ardhshme, kur edhe pritet të nënshkruhet kontrata në mes FBK-së dhe KB Rahoveci dhe me ç’rast do të organizohet edhe konferenca e parë për media.

Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat.