Rëndomë rrëfimet e atyre që kalojnë në kalvarin e vuajtjes që i sjell me vete lufta, janë sa të dhimbshme po aq edhe të trishtueshme. Por, përveç këtyre, lufta e fundit në Kosovë tregon më së miri barbarinë e aparatit shtetëror serb ndaj popullatës civile dhe të pafajshme në Kosovë.

Një histori e veçantë dhe prekëse është ajo e Selami Elshanit nga fshati Reti e Rahovecit, i cili në ditën kur po bombardoheshin caqet serbe nga forcat e NATO-s, qëlloi në fshatin Krushë e Madhe, vend ku monstruoziteti i forcave të Millosheviqit kishte kaluar çdo limit.

Në një intervistë për Telegrafin, Elshani tash 60 vjeçar, shpalos përjetimin e tij me një falënderim dhe madhërim ndaj Zotit, duke theksuar se fakti që ai është ende në jetë ka elemente hyjnore, sepse ai ishte i vetmi që i kishte shpëtuar ekzekutimit, me ç’rast shumë burra tjerë kishin rënë të vdekur mbi trupin e tij, ku më pas forcat serbe për të humbur gjurmët i kishin vënë flakën viktimave, por për fatin e tij ky ndonëse fytyrën dhe duart tërësisht të djegura kishte shpëtuar.

“Qysh me 24 mars 1999, kur kanë filluar bombardimet e NATO-ës, diçka në shpirt më ka vra, kam menduar se do të bëhet një tmerr i madh. Kështu me 25 mars fshati Krushë e Madhe, ishte bllokuar komplet prej policisë dhe ushtrisë serbe, derisa në mbrëmje të po kësaj dite jemi detyruar si meshkuj së bashku me djemtë e dajës dhe të tjerë me liru shtëpinë e këtyre të fundit, dhe të strehoheshim në përroin e fshatit, ku rreth 500 persona jemi vendosur aty duke përfshirë gra dhe fëmijë”, ka rrëfyer Elshani.

Ai gjatë shpalosjes së kujtimeve të cilat i rëndojnë shpirtin, thotë se pamjet e asaj dite i ka të regjistruara thellë në memorien e tij, e të cilat kurrë nuk do t’i harrojë.

Duke vazhduar më tutje sagën e tij thotë se duke qenë përballë një armate të tërë të forcave serbe, në mungesë të ndonjë zgjidhje më të favorshme, ishin detyruar të dorëzoheshin të gjithë ata që ishin strehuar në përroin e fshatit.

 

“Na kanë detyruar me hy në një shtëpi në Krushë të Madhe deri në mëngjes herët, pastaj na kanë larguar nga shtëpia. Nuk e di numrin e njerëzve që kanë qenë aty, sepse shtëpia ka pasur femra, fëmijë dhe pleq. Kemi qenë thuaja me qindra. Dukej qartë se ishte planifikuar se çka do të veprohej me ne. Pas kësaj secilin mashkull e futën në resht të na kontrollonin dhe të na merrnin gjërat që i kishim me vete. Më kujtohet që në veturën të cilën i dorëzonim gjësendet tona, qëndronte një serb të cilin e njihja kohë më parë”, ka shtuar ai, për Telegrafin.

Më tutje ai ka treguar se gratë dhe fëmijët i kishin ndarë prej burrave dhe i kishin dërguar në xhaminë e fshatit, e më pas kishin ushtruar dhunë brutale ndaj disa prej meshkujve që ishin aty prezent.

“Prej aty na kanë dërguar me një oborr të njërës prej shtëpive, ku kemi qenë diku rreth 180 meshkuj dhe e kishin montuar para nesh një mitraloz, e ky agresivitet i shtuar i tyre ishte sepse kishin zbuluar armë në një veturë të njërit prej banorëve, dhe njëkohësisht askush nuk pranonte ta jepte emrin e tij. Ata gjuanin për të na frikësuar, e që nuk kaloi shumë kohë i nxorën disa djemë të rinj, e me të cilët saktë çka ka ndodhur vetëm Zoti dhe ata që e kryen krimin e dinë. Por, më pas hyri djali i Haxhi Qerkinit, i cili tashmë ka ndërruar jetë dhe i kishte duart me gjak, e këtu unë thash me vete se ata sigurisht janë masakruar dhe i kanë hedhur trupat e tyre diku”, ka shtuar Elshani.

Selami Elshani – 21 vite pas ngjarjes së kobshme që i ndodhi atij (Foto: Korab Basha)

Pas kësaj ai tha se ka shpresuar se po përfundon kjo torturë, por sipas tij, më pas kanë filluar t’i godasin me shkopinj gome ku Salamiut i është thyer dora, e në atë gjendje e kishin detyruar të bartnin ngarkesë me naftë në veturën e forcave serbe.

“Me pas na kanë ndarë disa persona dhe na kanë dërguar në një shtëpi të vjetër, derisa hymë në dhomë dhe një polic qëndronte para nesh, me të cilën tentova ta bëjë një marrëveshje për t’iu shmangur disi kësaj situate, për arsye se me dukej se qëndronte mendueshëm. Unë i thashë a ka ndonjë mundësi që ai të gjuante në ajër e ne të largoheshim, gjë e cila e bëri atë edhe më agresiv, e bëri gati armën për të gjuajtur, duke thënë se e keni kërkuar NATO-në, le të vijnë NATO dhe Ibrahim Rugova të ju shpëtojë. Derisa në ato momente kanë ardhur 6 policë tjerë, u bënë rresht para nesh, edhe e kuptova që po planifikojnë të na pushkatojnë. Fati im se njëri prej tyre e shkrepi një plumb pa marrë urdhër, plumb i cili e ka goditur dikënd prej nesh, por cilin nuk e di. Unë menjëherë kam rënë në dysheme, dhe ka vazhduar breshëria e armëve, derisa mbi trupin tim kanë rënë disa kufoma, dhe si duket unë isha i vetmi që isha i gjallë”, ka sqaruar Elshani, për Telegrafin.

Gjendja e duarve të Selami Elshanit pas djegies së trupit në vitin 1999 (Foto: Korab Basha)

Ai duke e vazhduar këtë histori rrëfen se vet me vete ka menduar që këtu përfundoj gjithçka, atëherë e ka dëgjuar urdhërdhënësin që për tu siguruar se kanë vdekur të gjithë të shkrepte edhe nga një plumb ashtu siç ishin të shtrirë.

“Në atë çast e di se një plumb më ka goditur në shpatullën time, që ma shkaktoi një djegësim të madh, e që fatmirësisht vetëm lëkurën ma shpërtheu, e njëkohësisht trupi im kërceu lart, por për shkak të kufomave që ishin përmbi, nuk u vërejt asgjë. Tashmë isha i bindur se po përfundonte kjo dhimbje, derisa po i dëgjoja ata të flisnin në gjuhë serbe, ai që i jepte urdhrat tha të shkojnë ta marrin benzinën, e tash me vete mendova se qëllimi i tyre është të humbet çdo gjurmë. Derisa nuk kanë vendos sanë përmbi, i kam dëgjuar komplet bisedat, pastaj kur kanë hedhë sanë ndjehej një zë i turbullt, thonin ta kryejmë më shpejt se na presim shumë punë”.

“Ata kishin derdhë benzinë mbi sanë, unë aromën e benzinit e vëreja, por nuk e dija çka po ndodhë pastaj. Kam filluar ta ndiej që një temperaturë e madhe po vjen, bëja lëvizje, kufomat në anën tjetër ishin mbi mua, plus sana. Duke lëvizë kufomat ranë anash, benzinë kishin derdhur afër 10 centimetra mbi trupin tim, sepse sana e thatë e ka shpërndarë, duke mos e lënë të pikë direkt në trup, sepse as unë nuk do të mund të dilja i gjallë. E shihja që sana po merr flakë, ju luta Zotit, o i madhi Zot më jep forcë. I kam dhënë përpara më krejt forcën, sana kishte lartësi diku 50 deri në 60 centimetra, e kështu jam ul në dy gjunjë midis flakës dhe filloi me më kaplu flaka trupit, e në atë moment e kam lëshuar një klithmë të madhe. Më nuk kam pas as vetëdije, as forcë, vetëm e di se pas pak çastesh e kam pa veten jashtë flakës. Nuk e di çka ka ndodhë, kush me ka nxjerrë, por mu kthye vetëdija dhe forca. Kam filluar t’i heq rrobat, lëkura e duarve më ra, fytyrën nuk e dija si e kam”, ka thënë Elshani.

Në vazhdën e rrëfimit Selamiu tregon se derisa tentonte të largohej nga ajo shtëpi frikësohej të ikte nga aty përmes oborrit, sepse sipas tij, nuk ka qenë i sigurt nëse ende janë forcat serbe aty, ka dalë nga një pjesë tjetër, dalje afër së cilës ishte një përrua, duke qëndruar 10 deri në 15 minuta nën strehën e shtëpisë.

Selami Elshani – djegia e trupit ia kishte dëmtuar rëndë lëkurën (Foto: Korab Basha)

“Qëndrova aty derisa filloj temperatura më të madhe, kërkoja ujë, e gjeta një krua në oborr, njerëz nuk shihja, duart më ishin mpirë. Jam detyruar me bërryla me hap kroin në oborr. Tash gjithnjë po merrja vendime çka të bëj. Familjen nuk e dija ku e kam, nuk kisha kontakt me ta. Nisa ta kontrolloj terrenin mos ka mbetur dikush i gjallë, e po më ofron ndihmë, sepse e vërejta se po shkon trupi duke u lodhë, ishte bërë thuajse mbrëmje, terri filloi me ra. Nuk pashë asnjë njeri të gjallë, por se rrugët e mbushura me kufoma, të cilat ishin ekzekutuar grupe, grupe. Qëllimi im ishte të shkoja të xhamia e fshatit – e cila nuk ishte më larg se 200 metra prej aty ku isha unë – për ta vërtetuar së çka ka ndodhur me familjen time. Të shkoja rrugës kryesore nuk guxoja, për shkak se mund të bija në duart e forcave serbe. Kam kaluar shtëpi më shtëpi derisa kam arritur të shtëpia e hoxhës së fshatit, e cila ishte kapur me xhami, në oborrin e të cilit hasa në tri kufoma të vendosura një mbi një. Orvatjet për të kaluar nga shtëpia në xhami ishin të pamundura përmes hyrjeve anësore, e që duhej të kalojë ka rruga kryesore”, ka thënë ai, për Telegrafin.

Elshani ka treguar se kur ka arritur të oborri i xhamisë i ka dëgjuar disa zëra, të cilat sipas tij, nuk ka arritur t’i identifikoj se në çfarë gjuhe janë. Këtu sipas tij, ndodhi diçka hyjnore, që i kalon limitet njerëzore, e më saktësisht pozita ku po qëndronte ai ishte rrugë kryqe që në njërën anë dërgonte në pjesën e poshtme të fshatit ku ishin forcat serbe.

“Jam ndalur aty po merrja vendim çfarë të bëja. Terri filloi. Trupi po dobësohej, thash me vete se do të luajnë qentë me mu natën. Mora vendim me shku te serbët poshtë – le të më pushkatojnë. E kam vendos këmbën e djathtë me ec poshtë, në krahun e djathtë diçka më ndalonte, po shikoj nuk ka asgjë. Tri herë e kom vendos kom e djathtë, tri herë më ka ndaluar. Herën e tretë rashë shahadet e thash veç melaqet e perëndisë, nuk ka tjetër send, sepse nuk po shoh njeri. Të tretën herë kjo forcë më ka rrotulluar në drejtimin nga duhet të shkoj”, ka shtuar Elshani.

Ai ka treguar se ka shkuar në drejtim të shtëpisë së dajës, e cila për dallim nga shtëpitë tjera nuk ishte djegur.

“Unë thash me vete po kërkoj ndonjë yndyrë për tu freskuar, qoftë edhe nëse serbët me pushkatojnë. Duke u afruar po i dëgjojë disa zëra, e që po i dalloj edhe personat kush është aty. Ishte babai im, daja im, dhe disa xhaxhallarë të dajës dhe një grua e djalit të dajës, që ishte e paralizuar. Unë kërkova ndihmë. Me thanë kush je ti, atëherë thash se puna ime paska mbaruar. Këta nuk po më njohin, më lëshoi trupi, kam ra në tokë, dora e majtë më ka shkuar të koka, flokët po më shpojnë, më kishin mbetur vetëm gjysmë centimetri, më ishin djegur flokët. Fytyrën si e kam nuk e dija. Më pas unë u përgjigja se jam Selamia. Ata filluan të bërtasin, i thash dajës ndihmë dhe kërkova kos, sepse kam dëgjuar që kosi të freskon. Daja e ka sjellë një pjatë me kos. Kur me ka lyer të gjitha pjesët e djegura, unë nuk kam ditë më asgjë. Mu kanë mbyllë sytë”, tha ai.

Elshani ka treguar se ndonëse ishte në gjendje tepër të vështirë shëndetësore, kontrollet e forcave serbe që ishin të rregullta nëpër shtëpitë e fshatit, e vështirësonin strehimin e tij, duke bërë që ai në një moment të fshihej në një serë të specave, e që aty pari të kalonin forcat serbe, duke shpëtuar për të disatën herë për një periudhë shumë të shkurtër.

Ai ka rrëfyer se si për t’i ikur kontrolleve të policisë ka shkuar në një shtëpi në fqinjësi të dajës së tij, ku ka qëndruar në gjithë natën.

“Më pas një person prej fshatit Nagavc, i quajtur Milaim Ballanica, ka ardhur me më marrë me vete për të më ofruar ndihmë mjekësore. Unë nuk e di si ka ardhë ai aty, ose prej nga është informuar. Kemi shkuar në fshatin Nagavc të një teze e imja, ku burri i saj merrej aso kohe me mjekimin e frakturave që kishin njerëzit në trup, sepse unë ende e kisha dorën e thyer. Në ndihmë aty na ka ardhur një mjek dhe me ato pak mjete që i kishte në dispozicion më ka mjekuar. Unë kam kërkuar të kthehem përsëri në fshat. Me kujtohet me datën 3 prill, po më thotë babai se njerëzit po largohen drejt Shqipërisë. Atëherë një person i kishte thënë të atit tim, që ai mund të shkonte me traktor në Shqipëri, por pa mua. Babai i është përgjigjur se ai nuk mund të lëvizë e ta lë djalin në atë gjendje. Derisa një dajë i joni ka ardhur dhe na ka marrë me vete në traktor për tu larguar në drejtim të Shqipërisë. Mua më kishin mbuluar me batanije. Ajo që më kujtohet është momenti kur kemi hyrë në Shqipëri, sepse aty mu kthye shpresa për jetë, dhe se përkundër problemeve besoj se do të mjekohem”, ka shtuar Elshani.

Më tutje ai kishte marrë ndihmë mjekësore në Kukës, për të vazhduar më pas në Tiranë, e në mungesë të mjeteve të nevojshme, ai kishte vazhduar trajtimin mjekësor në Zvicër, ku kishte qëndruar rreth 14 muaj, për tu kthyer në Kosovë dhe filluar një jetë të re. /Telegrafi/