Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën e Pashtrikut, Sabahajdin Cena, është i ftuari i radhës për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.

Cena përmes një njoftimi dërguar mediave, ka konfirmuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, që më datë 14 janar 2019 të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjatë periudhës së luftës kam qenë pjesë aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut. Ne besojmë në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare dhe vlerat e saja nuk mund të kontestohen nga askush, nuk kemi asnjë arsye që t’i shmangemi organeve të drejtësisë dhe do të jemi në dispozicion të çfarëdo thirrje për të zbardhur të vërtetën”, ka thënë Sabahajdin Cena nga Rahoveci.

Sabahajdin Cena është personi i tetë i konfirmuar që është thirrur për intervistim nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë./Telegrafi