Në fillim kur e prezantoi idenë e mbajtjes së Final 8 në palestrën e Rahovecit u duk si një ëndërr. Madje e kam quajtur të çmendur Fidan Ramën. Sa shumë kam gabuar…

Shkruan: Arnolld Korenica

Jo rëndom thonë se idetë më të çmendura u takojnë ëndërrimtarëve. Sepse ata guxojnë. Epilogu gjithmonë është i pabesushëm sa herë përzihet pak çmenduria me magjinë. Rezultat i kësaj ishte ajo që ndodhi në qytetin tonë tejet të uritur për organizime, sukses dhe pozitivitet.

E di se do të më qortosh pse mund të zbuloj ndonjë prapaskenë, por ma fal kësaj radhe se më bëre krenar, edhe pse në distancë – Fidan.

Më fal që të kam quajtur të çmendur, e faleminderit që na bëre të besosh, Fidan Rama.

Me një prej miqve të mi më të mirë, Fidanin, asnjëherë nuk na lidhi gazetaria e as politika, na lidhi basketbolli dhe klubi në tri vitet e fundit. Na lidhi Rahoveci jonë që e duam pa masë.

Vitin 2018 kur askush se mendonte një organizim të tillë, Fidan Rama e kishte në kokë – duhet Kupën ta bëjmë në Rahovec – kjo pasi u ngrimë nga të ftohtit dhe mungesa e rrymës në organizimin e Suharekës.

Pyetja ime ishte: Qysh me e bo, pa palestër? Përgjigja ishte:  Ka me u bo. Jom 100% i sigurt.

Kaloi kohë dhe erdhi fundi i vitit 2018. Në një prej bisedave të zakonshme për basketboll, më tha: Palestra po bëhet. Kupën po e organizojmë. Ka vështirësi, por do ja dalim. Sërish kisha dyshime.

Në fillim të shkurtit Fidani më ftoi të shikonim basketboll, ndeshjen e Prishtinës në FIBA Europe Cup. Basketbolli ishte gjithmonë relaksi jonë i vetëm nga puna e përditshmëria. Aty u shfaq një shou i vërtet me drita e spektakël.

“Kshtu kena me e bo te na. Hala ma mirë bile…”, më tha ai, teksa unë shfaqa doza dyshimi. Sa shumë paskam gabuar.

Kështu i bëri të besonte Federatën, punëkryesin EuroIng dhe bordin e klubit.

Federata i besoi klubit pas aplikimit edhe pse palestra nuk ishte gati, Fidan Rama u bë menaxher i garës Final 8 që ishte format edhe më i madh se zakonisht. I besoi edhe bordi prej ku krijoi ekipin, e nga ku gjithmonë kishte mbështetjen e vëllait, Albanit, kontribuesit më të madh të sportit ndoshta në historinë e qytetit.

Punëkryesi Euroing duke parë seriozitetin jo vetëm se vendosi ta kryente palestrën me standarde botërore, madje ndihmoi klubin duke u bërë sponsor.

Fidani si udhëheqës bashkë me Bekimin, Albanin, Xhuli, Lolin, Adriani, Besartin e shumë të tjerë vullnetarë punuan dhjetëra mbrëmje rresht pa ndalur për ta realizuar ëndrrën – Final 8 në palestrën “Mizahir Isma”.

Ai e bëri të besonte i gjithë qyteti.

Diçka po ndodhte në Rahovec dhe ndërmarrjet një nga një përkrahën garën duke ndihmuar klubin që ka vuajtur shumë pa kushte, por me shumë suksese e vullnet.

I gjithë qyteti besoi dhe e pa ëndrrën duke u bërë realitet, një spektakël e organizim me të cilin Prishtina do krenohej, por Rahoveci dha vulën për gjithë vendin dhe organizimin më të madh ndonjëherë në vend, organizim i nivelit botëror, sikur në NBA dhe EuroLeague, për të cilat organizime kemi folur me Fidanin, por që do të vinte dita ta shohim në Rahovec, askush nuk e priti.

Shumë më vështirë ishte për rahovecianët në distancë, në diasporë e punë gjetiu. Sepse ndjenjat e krenarisë nuk mund të shpreheshin me duartrokitje, por me lot.

Fidani nuk ka titull në klub. Ai është gjithçka, zemra e klubit. Ai ishte katalizator i këtij spektakli dhe organizimi, mbi të gjitha finalizimit të palestrës. Ai është katalizator i çdo suksesi të deritashëm të Rahovecit, sepse si ëndërrimtar i çmendur, i bëri të gjithë të jetojnë çmendurisht një realitet të ëndërruar.

KB Rahoveci fitoi ndaj Don Boskos së Valentinit. Pavarësisht rezultatit, ai është në plan të dytë pavarsisht se çka ndodh në ndeshjet tjera, finale, kupa apo vendi i tretë ose i katërt. Nuk ka rëndësi.

Sot – 27 shkurt – filloi historia e re e sportit të Rahovecit.

E dini cila është çmenduria e radhës e Fidanit pas Final 8?

Po e zbuloj, edhe pse do të më qortojë.

Titulli i kampionit dhe pjesëmarrja në Champions League të basketbollit.

Unë besoj… të gjithë besojmë. Kësaj radhe nga fillimi. Nga sot.