Artisti i madh i letërsisë nga Rahoveci, Fadil Bajra, ka fituar çmim nga Ministria e Kulturës me në krye Kujtim Shalën, për veprën më të mirë të përkthyer.

Çmimi për vepër jetësore, merr 5 mijë euro, ndërkaq çmimet tjera nga 2500 euro.

Mëngjesi i së hënës, në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, erdhi pakëz më ndryshe. Ky mëngjes solli fituesin e çmimit Kombëtarë për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, çmim ky që iu nda shkrimtari Arif Demolli. Për të ndarë çmimin “Azem Shkreli”, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, i cili përveç që lavdëroi punën e shkrimtarit ndër vite, ai tregoi se të dy në shkollën fillore ndanin një bankë bashkë.

“Për mua është një kënaqësi e veçantë që sot të marrë pjesë këtu në një ngjarje shumë të rëndësishme, të veprave të cilat po shënojnë historinë e Kosovës, jam shumë i lumtur që kam rastin që sot të ndaj shpërblimin e shkrimtarit Arif Demolli, për veprën e tij jetësore. Unë mund të jem pakëz subjektiv se ne kemi qenë shok klase, ku kemi kryer tetë vite bashkë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, dhe mund të them se Arifi që nga viti i parë i shkollës fillore ka qenë shkrimtar”, theksoi Mustafa.
Ndërsa për laureatin e çmimit, përveç që ishte kënaqësi e madhe ta merrte këtë çmim, pak ishte edhe i trishtuar, pasi që, sipas tij po i vihej pika diçkaje.

“Më bëhet shumë qejfi që juria është e brezave të ndryshëm, është kënaqësi e veçantë që çmimi më ndahet nga një shok i klasës e shok i fëmijërisë. Vetë formulimi që është vepër jetësore, më tingëllon pakëz e trishtuar, sepse sikur e vë një fund apo një pikë, ku të duket sikur ka marrë fund gjithçka, mirëpo unë kam dëshirë që të vazhdoj edhe më tutje me krijimtari”, tha pas marrjes së çmimit Arif Demolli. Ndërsa sipas vlerësimit të jurisë ky çmim është ftesë për rileximin e veprës së autorit të Kosovës, që veprimin e kthen në gjuhë dhe gjuhën në veprim.

Përveç këtij çmimi sot u ndanë edhe disa çmime të tjera ku Rexhep Murtez Shala me veprën “Anonim Profan Wor(l)d”, fitoi çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare, eseistikë “Ibrahim Rugova”, e fitoi Xhavit Beqiri për veprën “Lahuta…e Fishtës”, Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”, e fitoi Fadil Bajraj për veprën “Dan Fente-Heshtja e poetit është një akt terrorist”, çmimi “Vehbi Kukaj”, për letërsi për fëmijë për vitin 2015 e fitoi Abdullah Thaqi me librin :Kështjella e fjalës”, vjersha për fëmijë dhe të rinj ndërsa çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” e ka fituar Ervina Halili, për veprën poetike “Amuletë.”

Krejt për fund, këshilltari i ministrit të MKRS-ës, Vehbi Miftari tha se ndarja e këtyre çmimeve këtë vit është bërë sipas rregullores së re, të cilën e kanë miratuar ata si ministri. “Rregullorja nënkupton që juria tashmë e përhershme do të bëjë vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve në bazë të leximit vjetor që ajo ua bënë veprave letrare, poashtu në kemi rritur ndjeshëm kujdesin për librin, dhe kemi katërfishuar buxhetin për librin”, përfundoi Miftari.