Në një epokë ku akuzat në politikë janë të zakonshme, dhe gjithashtu nga shumë politikanë përdorën si armë për të mundur kundërshtarin, në Kosovën e pasluftës akuzat kishin kaluar limitet e etikës së fushatës zgjedhore.

Sharjet dhe ofendimet ishin pothuajse pjesë e fjalimeve të secilit politikan që kishte hedhur kandidaturën për t’u bërë pjesë e politikës qoftë në zgjedhje nacionale e qoftë edhe të nivelit lokal.

Shpalosja e programit qeverisës në kushte normale duhet të jetë rreth asaj së çfarë ofron politikani për qytetarin gjatë mandatit qeverisës, mirëpo nëpër gjithë ato që kaluam për qytetarin u tha shumë pak, e më tepër dëgjuam fjalosje, gjuhë nxitëse, e ndonjëherë edhe sqarime hesapesh që politikanët sjellin nga e kaluara e tyre personale, shkruan Infokusi.com

Fushata zgjedhore e fundit e zgjedhjeve lokale në Kosovë, sipas analistëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile, ka ndryshuar trendin e mbarëvajtjes.

Kjo fushatë po vlerësohet si më e mira deri më tani, e cila si asnjëherë më parë po i përmbahet deri diku etikës së fushatave zgjedhore, premtimeve më racionale, dhe debateve më konstruktive.

Sipas analistit, Imer Mushkolaj fushata zgjedhore e tanishme është në një linjë ndryshe nga fushatat që kemi pasur deri me tani. Mushkolaj ka thënë se kandidatët në këtë fushatë zgjedhore po përpiqen që të tregojnë korrektësi, ngase e kanë kuptuar drejtë së duhet të ndryshohet gjuha më të cilën duhen t’iu drejtohen qytetarëve. Më tej, Mushkolaj ka përmendur edhe disa nga të kandiduarit për kryetar të komunave të cilët mund të vlerësohen si modele, dhe që po sjellin një fushatë ndryshe.

“Fushata është me ndryshe se të tjerat, premtimet janë me racionale dhe debati me konstruktiv. Kandidatet po përpiqen të jenë sa më konkrete në premtime, ngase e kanë kuptuar se qytetaret janë ngopur me mashtrime. Ka modele të mira kandidatesh që po bëjnë fushate ndryshe dhe janë me më vizion, mund të cek Selim Pacollin të AKR-së në Prishtinë, Lulzim Kabashin nga AAK në Prizren, ka thënë analisti Imer Mushkolaj.

Se ka ndërruar standardi i fushatave zgjedhore dhe është sjellë një model ndryshe ka thënë edhe gazetari i njohur, Lavdim Hamidi. Ndonëse ai ka përshëndetur mbarëvajtjen e kësaj fushate zgjedhore, ai është shprehur skeptik nëse kandidatët do të arrijnë ti realizojnë premtimet e tyre përbrenda mandatit të tyre katër vjeçar.

“Fatmirësisht gjatë tri javëve fushata zgjedhore ka kaluar pa incidente të mëdha, me shpresë se kështu do të vazhdoj edhe java e fundit. Megjithatë, shumica prej kandidatëve për kryetarë të Komunave po bëjnë premtime astronomike, të cilat nuk do të mund t’i realizojnë gjatë mandatit të tyre katër vjeçar edhe nëse e fitojnë besimin e qytetarëve. Madje kam dëgjuar një rast se si një kandidat për kryetar ka premtuar liberalizim të vizave me BE-në, e cila është jashtë kompetencave të tij si kryetar”, është shprehur Hamidi.

Hamidi ka përmendur edhe diçka tjetër që e bënë të dukshëm dallimin në mes të kaluarës së fushatës zgjedhore dhe të tanishmes. Sipas tij, kjo fushatë po përcillet me numër më të vogël të simpatizantëve.

“Më herët partitë politike në fushatë i mbushnin sallat e mëdha me simpatizantë, tashmë si duket asnjë subjekt politik nuk e ka një potencial të tillë. Për tri javë fushatë, askush nuk e mbajti një tubim të vetëm në sallën 1 Tetori në Prishtinë. Fokusi i kandidatëve, sidomos i atyre që po garojnë për Prishtinën, është te takimet derë më derë, për shkak se interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në fushata partiake ka rënë dukshëm”, ka thënë gazetari Hamidi.

Tutje Hamidi ka përmendur edhe disa emra të kandidatëve, të cilët ai mendon se përbëjnë listën e kandidatëve me fushatë zgjedhore më të mirë.

“Do ta veçoja nga një kandidat prej secilës parti politike: – Mytaher Haskuka, kandidat i LVV-së për Prizren; Sabiha Shala, kandidate e PDK-së në Pejë; Arban Abrashi, kandidat i LDK-së në Prishtinë; Ardian Gjini, kandidat i AAK-së në Gjakovë; Isa Xhemajlaj, kandidat i NISMA-s në Drenas; Selim Pacolli, kandidat i AKR-së në Prishtinë; Mimoza Kusari-Lila, kandidate e Alternativës në Gjakovë”, ka përfunduar Hamidi.

Alban Kastrati, ekspert i Marrëdhënieve me Publikun, ka theksuar se në këtë fushatë zgjedhore ka të kandiduar për komuna të cilët po dinë të përdorin mënyra kreative për t’u afruar më qytetarët.

“Unë besoj se interesimi i qytetarëve për zgjedhjet lokale është i rritur edhe për shkak të kontekstit lokal, mirëpo edhe për shkak se në disa komuna, kandidatët për kryetarë komunash kanë arritur të gjejnë mënyra kreative për tu qasur tek qytetarët. Unë posaçërisht i kam vlerësuar kandidatët që janë fokusuar në programin e tyre më shumë sesa në fushatën negative në drejtim të kundër-kandidatëve, meqë dihet se shumë segmente të publikut kanë pritje të tilla prej përfaqësuesve të tyre politikë”, ka theksuar eksperti i Marrëdhënieve me Publikun, Alban Kastrati.

Kastrati ka përmendur disa nga të kandiduarit të kësaj gare të cilët kanë zgjuar interesimin dhe që sipas tij kanë zgjedhur teknika të veçanta, që kanë marrë vëmendjen e qytetarëve për kohë të shkurtër. Këtyre kandidatëve ai i ka përshkruar veç e veç secilën veçori më të cilën kanë rënë në sy gjatë kësaj periudhe të shkurtër.

“Tre kandidatët të cilët e kanë zgjuar kureshtjen dhe interesimin tim për fushatën e tyre kanë qenë; Selim Pacolli në Komunën e Prishtinës, Sebiha Shala në Komunën e Pejës si dhe Visar Korenica në Rahovec. I pari e ka bërë dallimin më të madh me taktikat e zgjedhura për fushatë, sloganet konsistente si dhe rritjen e përkrahjes që ka marrë për kohën më të shkurtë të mundshme. Sot, Pacolli ka përkrahjen më të madhe në rrjetet sociale, si dhe reagimin më pozitiv të mundshëm në publik. Në anën tjetër, Sebiha Shala në Pejë më ka rënë në sy për profilin e saj politik të cilin po e ndërton me këtë fushatë, gjuhën e moderuar dhe të matur ndaj konkurrentëve, si dhe guximin qytetar të cilin po e tregon në secilin rast të dhënë. Ndërsa në Rahovec, Visar Korenica është duke bërë po ashtu fushatë shumë interesante, sepse ai është fokusuar në pikat më esenciale që kanë peshë për qytetarët e Rahovecit, ndërsa edhe në pjesën tjetër – atë të sloganeve dhe kreativitetit ai është vërejtur dhe ka bërë një punë që besoj se ju ka rënë në sy shumë njerëzve edhe jashtë kësaj komune”, ka përfunduar Kastrati.

Zekrija Shabani, gazetar i cili për kohë të gjatë ka përcjellë procesin zgjedhor në Kosovë, ka vlerësuar se kjo fushatë zgjedhore ka qenë më e qetë, më e matur dhe me një respekt të ndërsjellët mes të kandiduarve, përveç një incidenti të ndodhur në javën e kaluar.

“Në përgjithësi ka qenë fushatë e qetë dhe shpresojë që edhe në ditët e mbetura kandidatët në garë të tregojnë maturi dhe respekt të ndërsjellë. Kërcënimi i kandidatit të PDK-së për kryetarë komunë të premten ka zbehur në një masë frymën pozitive të fushatës së deritashme megjithatë partitë politike duhet të jenë të kujdesshme dhe nuk duhet të acarojnë gjuhën e fushatës. Megjithatë Kosova e vitit 2017 dallon shumë nga ajo e zgjedhjeve të para të pasluftës si për nga fryma elektorale ashtu edhe nga demokratizimi i partive politike”, ka shtuar Shabani.

Shabani gjithashtu ka përmendur disa nga kandidatët të cilët për qytetarët kanë ofruar një fushatë goxha të moderuar. Ai ka veçuar tre nga kandidatët të cilët i vlerëson lartë për angazhimin e tyre në fushatë zgjedhore.

“Në mesin e gjithë kandidatëve në garë për kryetarë komune do të ishte jo e drejtë të përzgjedhë vetëm tre. Por deri më tani, kam parë se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Vushtrrinë Xhafer Tahiri është bërë model i LDK-së për fushatën pa poster, e cila po ndiqet edhe nag kandidatët e tjerë. Ndërkaq, Sabiha Shala, kandidate për kryetare të Pejës nga PDK është për tu vlerësuar për fushatën që ka zhvilluar deri më tani në konkurrencë me burrat e partive tjera. Për fushatë atraktive dhe goxha moderne mund të vlerësoj kandidatin e AKR-së për Prishtinën, Selim Pacollin, i cili thuajse çdo ditë befason me një video apo aktivitet programor”, ka theksuar Shabani.

Nga ky përkufizim që dhanë këta persona që janë jashtë politikës, mund të vlerësojmë se ndër kandidatët për kryetar komunash, që kanë sjellë një frymë të re në fushatën zgjedhore janë kandidatë të cilët përgjithësisht kanë hedh kandidature nëpër qytetet nga ata vijnë.

Ata që u përmendën më së shumti nga të gjithë këta analistë janë Sabiha Shala, kandidate për kryetare në Pejë nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila lë shumë seriozitet dhe korrektësi në premtimet e ofruar për qytetarët. Shala është në konkurrencë më pesë burra të tjerë, e siç duket ajo i ka lënë nën hije ata, edhe pse disa prej tyre i kanë hyrë garës për më tepër se një herë. Më pastaj është Selim Pacolli, kandidat për kryetar të Prishtinës, nga Aleanca Kosova e Re, si dhe kandidati për kryetar në Prishtinë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi.

Këta të tre janë ata të cilët kanë marr më së shumti poena në procesin e fushatës zgjedhore, të përcjellë nga kandidatja për kryetare në Gjakovë nga Alternativa, Mimoza Kusari- Lila; kandidati për kryetar në Prizren nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytahir Haskukaj; kandidati për kryetar në Prizren nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lulzim Kabashi; kandidati për kryetar në Gjakovë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini; kandidati për kryetar në Vushtrri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Tahiri; Kandidati për kryetar në Rahovec nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica./Infokusi.com