Drejtori për Shëndetësi në komunën e Rahovecit, Munib Durguti, kategorikisht ka hedhur poshtë zërat se reparti i Gjinekologjisë po shkon drejt mbylljes. Ai ka përmendur disa probleme me shefin e repartit, por që ka thënë se është absurde të mendohet mbyllja e repartit të Gjinekologjisë kur dihet se së shpejti do të hapet reparti i dializës.

Në një intervistë ekskluzive për Rahoveci24, Durguti potencon për disa diferenca me shefin e repartit që ai shpreson t’i tejkalojë, teksa thotë se drejtoria e Shëndetësisë ka siguruar specializime për mjekë të Rahovecit me çka do të përmirësohet dukshëm kuadri dhe do të shtohet numri i atyre që veprojnë në QKMF-në e Rahovecit, “Fahredin Hoti”.

Ai i quan “analistë të vetshpallur” pjestarë të shoqërisë civile që kanë ngritur alarmin për mbylljen e repartit të Gjinekologjisë, teksa thotë se ky është absurditeti i radhës.

“Këto janë spekulime të disa analistëve të vetshpallur. Shefi i repartit është i paguar me 20% shtesë mbi pagën bazë. Kështu është e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, me një kërkesë zyrtare të quajtur KËRKESË PËR VEPRIM e nënshkruar nga ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani. Prej kësaj kohe, ne po aplikojmë këtë, ndërsa shefi i repartit në vitin 2013 e ka paditur Komunën e Rahovecit për shtesat të cilat nuk po i paguhen (mospagesa ka bazë ligjore), d.m.th ai po kërkon shtesa si në vijim: për kujdestari, vikdende, festa dhe gatishmëri në të njëtën kohë Ligji i Punës përjashton një mundësi të tillë duke cituar shprehimisht: Shtesat e punës së natës, fundjavës, festave dhe shtesave tjera përjashtojnë njëra-tjetrën dhe ne kemi përcaktuar si zgjidhje më të mirë shtesat për gatishmëri e cila paguhet 20% nga paga bazë, për më tepër doktorin në fjalë e bëra edhe shef të repartit dhe për këtë i është rritur paga 40 euro”, thotë Durguti për Rahoveci24.

“Unë i kam thënë shefit të repartit që ta tërheqë padinë dhe do të përfshij edhe oraret e festave pas sigurimit të lejes së veçantë nga Ministria e Shëndetësisë”, shtoi ai.

I pyetur rreth një mbyllje të mundshme të spekuluar të repartit të Gjinekologjisë, Durguti thotë se kjo është absurde.

“Më tej do të investojmë në kuadro si asnjë qeverisje e pas luftës, në vitin 2014 kemi ndarë 5 specializime në Gjinekologji, Peidatri, Biokimi, Radiologji, Emergjencë dhe gjatë këtij viti do të ndajmë 4 specializime në Mjekësi Familjare (gjithsejt 9 të specializuar). Është absurde të thuhet se ne do ta mbyllim repartin e Gjinekologjisë kur jemi afër për të hapur repartin e Dializës”.

“Të gjitha këto specializime janë dhënë me financime të komunës dhe pas përfundimit të specializimit këto kuadro do t’i kthehen institucionit”, përfundoi drejtori për Shëndetësi në komunën e Rahovecit.

Pra, sipas Munib Durgutit, reparti i Gjinekologjisë nuk do të mbyllet, por po shikohet përmirësimi i shërbimeve dhe shtimi i kuadrove, ndërsa qytetarët vazhdojnë të shpresojnë për shërbime më efikase dhe që të mos shkojnë deri në Gjakovë. /Rahoveci24/