Gjykata e Apelit ka liruar nga akuzat 12 asistentët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës (UP), të cilët në korrik të këtij viti ishin dënuar me burg dhe gjobë për regjistrime në fakultete përkatëse, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe kalimin e jashtëligjshëm të provimeve.
Përmes aktgjykimit, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë më 27 tetor të këtij viti, kur edhe është mbajtur seanca e kolegjit të Apelit, kishte aprovuar pretendimet e avokatëve dhe të akuzuarve, të cilët kishin ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i shpallur më 6 korrik të këtij viti.

“Duke shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë në pjesën për të cilën është ushtruar ankesë dhe sipas detyrës zyrtare konform dispozitës së nenit 394 të KPPK-së përkitazi me shkeljet e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se me aktgjykimin e kundërshtuar është shkelur ligji penal në anën e të akuzuarve Esat Belaj, Gazmend Maliqaj, Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, ngase në këtë rast ndjekja penale është parashkruar respektivisht ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, thuhet në aktgjykim.

Po ashtu, në këtë aktgjykim theksohet se të pandehurit nuk kanë qenë persona zyrtarë për kohën që janë akuzuar.

“Gjykata e Apelit me vëmendje ka shqyrtuar shkresat e lëndës së bashku me aktgjykimin e atakuar, si dhe ankesat ashtu që vlerëson se këto ankesa janë të bazuara. Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar drejt gjendjen faktike kur të akuzuarit i ka shpallur fajtorë si në dispozitiv të aktgjykimit të shkallës së parë, për faktin se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kishin pozitën e personit zyrtar për të mundur që të kryejnë vepra penale”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë dënimin më të lartë i kishte shqiptuar ish-kryetarit të organizatës studentore “Reforma”, Esat Belaj, i cili për tetë vepra penale që lidhen me “marrje të ryshfetit”, “ushtrim të ndikimit” dhe “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, ishte dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë. Kemajl Gashi, për “ndihmë në ushtrim të ndikimit”, ishte dënuar me 7 muaj burgim dhe 1500 euro gjobë. Arian Janova, për “ushtrim të ndikimit”, i ishte shqiptuar dënimi prej 8 muajsh burgim. E për të njëjtën vepër penale ishin dënuan edhe Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri, të cilëve iu shqiptuar me nga 8 muaj burgim dhe 5000 gjobë. Leonard Bytyçi, për “ndihmë në marrje të ryshfetit”, ishte dënuar me 8 muaj burgim, ndërsa për të njëjtën vepër, Kushtrim Morina, ishte dënuar më 7 muaj burgim. Arton Hoti, për veprat penale “ndihmë” lidhur me veprën penale “ushtrim i ndikimit”, ishte dënuar me 7 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë, ndërsa Muhamed Maliqi, për veprën penale ndihmë në “marrje të ryshfetit”, i ishte shqiptua dënimi prej 8 muajsh burgim. Albion Haxhijaha, për veprën penale “marrje ryshfeti”, ishte dënuar po ashtu me 8 muaj burgim. Për “dhënie të ryshfetit”, ishin dënuar me nga 3 muaj burgim të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orllati.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, këto dallavere të akuzuarit i kishin bërë përgjatë viteve 2009 dhe 2012. Në përshkrimin e aktakuzës, veprimet e tyre kishin të bëjnë me marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.

Në këtë proces gjyqësor, të akuzuar ishin Esat Belaj për veprat penale “marrja e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”.

Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri për veprat penale “ushtrim i ndikimit”. Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, për veprat penale “ndihmë” dhe “ushtrim i ndikimit”. Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi për veprat penale “marrje ryshfeti”, dhe të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orrllati për “dhënie të ryshfetit”. /betimipërdrejtësi/.