Njeriu më i afërt i trajnerit, Marjan Ilievski, Isa Rama, ka deklaruar se ekipi do vetëm fitore në mbyllje të stinorit vjeshtor.

Për Rahoveci24 ai ka deklaruar se atmosfera në ekip është e mirë, por se ndeshja është e vështirë pasi Peja është pretendente për trofe.

“Atmosfera e ekipit është solide përkundër rezultateve të pa kënaqshme. Nuk ka presion në ekip dhe meritat i ka trajneri Ilievski që ka liruar presionin te lojtarët. Pejën e njohim, është pretendente në tri frontet, tashmë dihet se kë kanë transferuar. Nuk dua të flas për ekipet tjera, vetëm për ekipin tonë”, u shpreh ai.

Isa Rama konfirmoi se vendimi për ta bërë Bardhin kapiten ishte nga klubi në koordinim me Marjan Ilievskin.

“Në qendër të projektit janë Visari dhe Bardhi, ndërkaq pas konsultimeve mes klubit dhe trajnerit u vendos që Bardhi të bëhet kapiten. Ai e meriton këtë plotësisht dhe jemi të bindur se është i denjë për një rol të tillë”, shtoi dora e djathtë e Ilievskit.

Të gjithë po presin ndryshimet gjatë afatit kalimtar të janarit, me Ilievskin që sipas disa spekulimeve ka bërë gati fshesën dhe revolucionin për titull.

“Nuk pajtohem me terminologjinë “fshesa” apo “s’pastrime” siç u shkrua në portale. Klubi po punon, përcjelleni faqen zyrtare, për gjithçka do njoftoheni më tutje. Nuk mund të komentoj diçka më shumë rreth kësaj”, përfundoi Rama.

Isa Rama i njohur ndryshe në publik si “Xhuli” është antar i bordit të KB Rahovecit që nga riaktivizimi i klubit dhe nga ardhja e Marjan Ilievskit ishte tekniku maqedonas që e ka afruar pranë vetes si dorë të djathtë të tij. /Rahoveci24/