Tash në këto momente që po e lexoni këtë artikull, sigurisht se jeni pafundësisht krenar me fitoren e Rahovecit ndaj Yllit dhe spektaklin e jashtëzakonshëm, e me ëndrrën për playoff. 

“Ky gëzim e kënaqësi s’paguhet me pare”, nëse s’e keni thënë ju, e ka thënë bashkëbiseduesi juaj në tavolinë. Madhështore.

Sikur qielli që s’ka kufi, edhe ky klub i basketbollit s’ka kufi.

Thanë që s’mund të arrijmë Superligën, E KEMI ARRITUR.

Thanë se s’do mbesim në Superligë, KEMI MBETUR PA PALESTËR.

Thanë që s’do ta mposhtim Yllin, E JEMI BËRË TRI HERË RADHAZI.

Thanë se nuk do arrijmë kurrë në playoff, JEMI AFËR PLAYOFFIT!

Po thuani që s’mund ta fitojmë titullin, POR NE MUND TA SHKRUAJMË HISTORINË.

Po pra, i dashur rahovecian, edhe titullin mund ta fitojmë, sepse qielli s’ka kufi e as ne si qytet e njerëz, ku kryesia faqebardhë ka reprezentuar dinjitetin rahovecian në mënyrë të qetë e të sigurt duke i eleminuar dyshimet për secilin keqpërdorim – EDHE MË TË VOGËL, sepse e bëjnë me dashuri për vendin.

Me këtë rritëm të sukeseve dhe fitoreve historike ndaj Pejës, Trepçës e Yllit (dy herë këtë sezon), në janar do të flasim për playoff dhe gjasat për titull.

Së pari kryetari i ardhshëm kush do që do të zgjidhet më 19 nëntor, duhet ti ndajë në janar së paku 50 mijë euro për vitin 2018 për klubin e basketbollit (Prizreni 100 mijë dhe Suhareka 75 mijë subvencionojnë klubet).

Së dyti është koha që biznesmenët të mos e injorojnë suksesin historik. Të gjithë do të paraqiten për reklama kur do bëhet palestra, por ajo bëhet duke protestuar, e protesta bëhet e fuqishme nëse fitojmë titullin. Me 2-3 biznese gjigante dhe subvencionimin e komunës, kryesia duhet të mblidhet në janar dhe të ndërmarrë reforma për ta fituar titullin.

Të angazhohet Anthonis Constantinides, ish trajneri i Prishtinës dhe trajneri Mark Rodiqi të bëhet asistent i tij.

Të angazhohen dy super yje vendore, të mbahen lojtarët aktual dhe të rikthehet nga Norvegjia kapiteni Besnik Sharku, i cili është kalibër për playoff.

Të stimulohen tifozët ultras dhe të zgjerohet kryesia me njerëz tjerë puntorë sepse ne dimë të organizojmë. Ky nuk është sekret.

Nëse bëjmë këtë në janar, titulli nuk do të jetë obsesion, por një ëndërr që do ta prekim për fëmijët super të talentuar të gjeneratave U14 dhe U18 të KB Rahovecit të cilët janë e ardhmja jonë.

E vërtet, cilësia e basketbollit ka rënë, por në fund gjithë ajo që do mbahet mend është Rahoveci kampion e fitues i titullit, sepse kështu e ka historia.

Treni nuk duhet të ndalet.

Të hënën ndaj Prishtinës në Gjakovë nga ora 18:00 në MISSION IMPOSSIBLE ndaj kampionit ndoshta do të humbasim thellë, por klubin e qytetin duhet ta duam më shumë se sot.

Le të ëndërrojmë, sepse të ëndërrosh qenka bukur…

/Rahoveci24/