Basketbollisti i KB Rahovecit, Berat Mullabazi, ka deklaruar për Rahoveci24 para finales së playoffit se ekipi është gati por se ka nevojë për përkrahje masive nga tifozët.

KB Rahoveci të shtunën nga ora 19:00 përballet me Dritën (17:30 nisja për tifozë nga Park Plaza me autobusa) në finalen e parë të playoffit. Skuadra që bën dy fitore shkon direkt në Superligë dhe fitorja në ndeshjen e parë është e domosdoshme.

Mullabazi thotë se ai dhe ekipi janë mjaft të fokusuar për sfidën.

“Jemi të fokusuar. Ndaj Kastriotit ishte test me rëndësi ku kemi fituar ritmin e nevojshëm për sfidën e vështirë ndaj Dritës. Valentin Spaqi është trajner i madh, një prej më të mirëve në rajon. Ajo që ai ka arritur të bëjë me këtë ekip është madhështore. Ai është motivator i madh, kështu që edhe besojmë në objektivat tanë fuqishëm”, u shpreh ai.

“Ftoj të gjithë tifozët dhe qytetarët që të vijnë në Suharekë dhe ta përkrahin ekipin. Do ishte madhështore për qytetin tonë që të arrijmë një sukses të tillë dhe mesazhi më i qartë se palestra duhet të përfundohet sa më shpejt. Kemi vetbesim, kemi cilësinë dhe besojmë fuqishëm në fitore dhe në përkrahjen e tifozëve tanë. /Rahoveci24/