​Gjatë gjashtë mujorit të dytë të këtij viti nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Rahovecit janë ngritur gjithsej 126 çështje, prej të cilave vetëm 36 përqind nga fushat me interes për qytetarët e Rahovecit ndërkaq 64 përqind e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit.
Nga këto të dhëna del se anëtarët e AAK-së prijnë edhe për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 50.8 përqind të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së me 21.4 përqind të çështjeve të iniciuara ndërsa Florije Boshnjaku (AAK) dhe Fatmir Iska (AAK) kanë shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me nga 12.7 përqind përkatësisht 10.3 përqind të çështjeve të përgjithshme.

Sipas KDI-së gjatë seancave të mbajtura në periudhën korrik-dhjetor 2014 në Kuvendin e komunës së Rahovecit janë propozuar gjithsej 13 amandamente. Nga këto, AAK dhe LDK me nga 31 përqind të amendamenteve, PDK dhe PD me nga 15 përqind të amendamenteve.

Sa i përket pyetjeve të bëra nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Rahovecit drejtuar ekzekutivit komunal, në këtë periudhë janë bërë gjithsej 92 pyetje ndaj ekzekutivit të kësaj komune nga të cilat 51 % nga fushat me interes për qytetarët e Rahovecit ndërkaq 49 % e pyetjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit. Anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Rahovecit janë Fatmir Iska (AAK) me 17.4 përqind dhe Florije Boshnjaku (AAK) me 14.1 përqind të pyetjeve.